Pas takimit 2 ditor në Lezhë, kryeministri Edi Rama theksoi se këtë herë mbledhja tradicionale e shumicës qeverisëse ka patur 3 sesione ku në fokus ka qenë parlamenti, institucionet qendrore dhe në fund një mbledhje e ngushtë e kabinetit qeveritar.
Rama theksoi se brenda këtij viti do të hapet për qarkullim aksi Thumanë-Kashar për të cilin tha se është nevralgjik si pjesë e “Korridorit Blu”.
“Kemi një pamje shumë të qartë të ecurisë së punës me ‘Korridorin Blu’. Brenda këtij viti do hapim për qarkullim aksin shumë të rëndësishëm nevralgjik të Thumanë-Kasharit ku thuajse 17% e punimeve janë duke u realizuar. Kemi qartësi për ecurinë e aksit e procesit për të filluar punën me aksin Milot-Thumanë, pjesë tjetër shumë nevralgjike. Besojmë që do të procedojmë përpara sezonit me nënshkrimin e kontratave për aksin Kashar-Rrogozhinë dhe Rrogozhinë-Lekaj që praktikisht përfundon gjithë boshtin e Korridorit blu. Nga ana tjetër kemi adresuar nevojën për financim të bajpasit të madh të Elbasanit, në kushtet kur Korridori VIII ecën me shumë shpejtësi”, tha Rama.












