Avokati i Ilir Beqajt, Ermal Yzeiraj ka reaguar pas kontrollit të SPAK-ut të një apartamenti në Vlorë, që sipas prokurorisë i përket ish-ministrit të Shëndetësisë.
Në një reagim zyrtar ai tha se Beqaj nuk ka asnjë apartament në Vlorë, po e ka pasur me qira atë në vitin 2020 ndërsa sot nuk ka asnjë lidhje me atë që pretendon SPAK.
Ai shkruan se lëvizja e prokurorisë është në përpjekje e dëshpëruar për të gjetur me çdo kusht një arsye për të mbajtur në burg Beqajn.
“Sot më datë 24.07.2024, rreth orës 14:00, unë si avokat i z. Ilir Beqaj jam kontaktuar në telefon nga oficerët përkatës të SPAK, të cilët më kërkuan të isha prezent në kontrollin që do ti bëhej (sipas tyre) shtëpisë në pronësi të z. Ilir Beqaj në Vlorë, duke më kërkuar gjithashtu që tu sillja nga Tirana dhe çelësin e kësaj shtëpie pasi në rast të kundërt do të shpërthenin derën.
Pasi e sqarova oficerin përkatës të SPAK që z. Ilir Beqaj nuk ka asnjë apartament në pronësi në Vlorë ai kërkoi ndjesë se ishte shprehur gabim dhe sqaroi që bëhet fjalë për një banesë që z. Beqaj nuk e ka në pronësi, por e ka patur me qira sipas një kontrate qiraje të vitit 2020“, sqaron nder te tjera avokati.












