Deputeti i PS-së, Pandeli Majko ka treguar disa prapaskena nga kampi socialist para zgjedhjeve parlamentare të vitit 2021.
Majko tregoi se para zgjedhjeve kishte pasur një përplasje me Edi Ramën për listën e Tiranës. Sipas tij, ky debat e vendosi të 19-tin në listën e kandidatëve për deputetë dhe për rrjedhojë humbi mandatin, të cilin e rimori pas dorëheqjes së Alqi Bllakos, i cili u prangos për çështjen e inceneratorëve.
“Ti me të drejtë mund të thuash, a mbani përgjegjësi për listat e deputetëve. Unë nuk kam ardhur të shprehem për këtë të jem i sinqertë, por një gjë di ta them me shumë besim. Në 2021-shin isha i 19-ti dhe e di pse isha i 19-ti? Sepse u zura me Edi Ramën për listat e Tiranës. Pyet ndonjëherë “off record” deputetët e Tiranës çfarë ka ndodhur dhe do të thonë. Duhet të pranosh një gjë që Rama ta thotë: “Ne do pranojmë sistemin”. Ka shumë rëndësi kjo, sado që mund të të mërzitet Rama, me mjekrrën, me ato brekushet e gjata, me ato atletet që na ka ardhur dhe ne shpirti në majë të hundës, por problemi është që do vazhdojmë me këtë lloj partie, me këto të meta, por që pranon sistemin apo me një grup që do vijë në pushtet dhe një Zot e dijë se çfarë do bëjë”, tha Pandeli Majko në Abc News.












