Apeli i GJKKO ka rikthyer këtë të enjte masën e sigurisë ‘detyrim paraqitje’ për Sali Berishën, në hetim për aferën e privatizimit të ish-kompleksit ‘Partizani’.
Gjyqtari i Apelit të Posaçëm, Engert Pëllumbi vendosi ndaj Berishës masën ‘detyrim paraqitjeje’ 2 herë në muaj para SPAK.
Por kush është gjyqtari Engert Pëllumbi?
Engert Pëllumbi i përfundoi studimet në Shkollën e Magjistraturës në vitin 2011. Pëllumbi e ka nisur karrierën në Gjykatën e Fierit ndërsa në vitet 2017-2020 punoi si këshilltar ligjor në Gjykatën e Lartë dhe prej nëntorit 2020 e ushtroi funksionin në Gjykatën e Apelit të Vlorës si pjesë e skemës së delegimit.
Gjyqtari Engert Pëllumbi u përball me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit në Tetor të 2021 dhe e kaloi me sukses. Pëllumbi rezultoi i pastër në të treja kriteret e rivlerësimit. Në bazë të hetimit administrativ nuk u konstatuan asnjë shkelje. KPK votoi unanimisht pro konfirmimit të tij në detyrë.
Ndërkohë në vëmendjen e publikut emri i tij është i lidhur me dënimin e ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri, ku Engert Pëllumbi njihet si gjyqtari që dërgoi në qeli funksionarin e parë të lartë shtetëror.












