Kryeministri Edi Rama i ka cilësuar akuzat e ngritura nga opozita në lidhje me ish zyrtarin e FBI-së, Charles McGonigal, si fantazi dhe ligësi. Kreu i qeverisë përsëriti se hetimet që janë bërë në SHBA ndaj ish zyrtarit nuk kanë asnjë lidhje as me të apo me qeverinë shqiptare.
“Ky mal i madh mbarsur me fantazi dhe ligësi, do të pjellë edhe më pak se një mi. Fatmirësisht gjithçka është e hetuar në SHBA dhe konkluzioni i hetimit s’ka asnjë lidhje me mua a me qeverinë shqiptare. Paratë e marra prej rusëve nga PD nuk janë shpikje, po fakt po ashtu i hetuar dhe i provuar botërisht.”, shkruan Rama.
Rama thotë se McGonigal nuk akuzohet fare për asgjë nga këto që flitet në Shqipëri por ka të bëjë vetëm me një konflikt interesi në marrjen e borxhit nga miku i vet shqiptaro-amerikan dhe mosdeklarim të tij.












