Deputetët janë rikthyer në Kuvend, pas më shumë se një muaj pushime, ndërsa fjalën hapëse e mbajti kryeparlamentari Niko Peleshi, i cili vuri në fokus dhe ndryshimet që pritet të vijnë në sajë të punimeve të reja në Parlament, me në fokus anëtarësimin e Shqipërisë në BE.
Ndërsa vuri në fokus dhe punimet për reformën zgjedhore dhe administrativo-territoriale për të cilën theksoi se duhet të vihen në funksion të përforcimit të marrëdhënieve mes institucioneve dhe qytetarëve.
“Së pari, përafrimi i legjislacionit. Kuvendi do të shqyrtojë me përparësi projektet që lidhen me standardet e BE. Do të nisim bashkëpunimin. Do të forcojmë kontrollin post-legjislativ. Së dyti, intensifikim i diplomacisë parlamentare. Kontakte dinamike me parlamentet e 27 vendeve anëtare do të vazhdojnë. Më 27 shtator Kuvendi do të organizojë konferencën ndërparlamentare. Ajo është një mundësi për të vendosur Shqipërinë në qendër të dialogut. Së treti, përgatitja për anëtarësimin e plotë. Gjatë këtij sesioni do të fillojmë punën për t’u përgatitur sesi Shqipëria do të funksionojë si vend anëtar me të drejta të plota. Nuk do të presim ditën e anëtarësimit, por do të fillojmë që sot” tha Peleshi.












