Erjon Bani dhe Engert Pëllumbi janë dy nga magjistratët që kanë kallëzuar sot në SPAK ministrin e Financave, Petrit Malaj, sekretarin e përgjithshëm të këtij institucioni, Gentian Këri, si dhe drejtuesit e 16 degëve të Thesarit në rrethe.
Në kallëzim pretendohet se zyrtarët kanë konsumuar veprat penale të “shpërdorimit të detyrës”, “pengimit për ekzekutimin e vendimeve të gjykatës” dhe “mosekzekutimit pa shkaqe të përligjura të vendimit të gjykatës”. Çështja lidhet me bllokimin në Thesar të pagave të magjistratëve.
Deri këtu gjithçka do të ndjekë rrugën ligjore. Do të jetë SPAK që do të vlerësojë kallëzimin dhe do të vendosë nëse ka elementë për nisjen e një hetimi dhe, më pas, nëse çështja duhet ose jo të dërgohet për gjykim. Por, pikërisht këtu lind një situatë jo e zakonshme.
Erjon Bani dhe Engert Pëllumbi janë vetë gjyqtarë të Gjykatës së Posaçme, pra gjykatës ku përfundojnë për gjykim dosjet e SPAK. Bani mban gjithashtu detyrën e zëvendëskryetarit të kësaj gjykate, ndërsa Pëllumbi është zgjedhur kryetar i Shoqatës së Gjyqtarëve. Nëse SPAK vendos të hetojë kallëzimin dhe në përfundim e dërgon çështjen për gjykim, atëherë lind pyetja: Kush do ta gjykojë dosjen?
Dy prej personave që kanë vënë në lëvizje SPAK-un janë njëkohësisht gjyqtarë të gjykatës që, në një fazë të mëvonshme, mund të duhet të shqyrtojnë akuzat ndaj ministrit Malaj dhe zyrtarëve të tjerë. Kjo nuk do të thotë automatikisht se SPAK apo e gjithë Gjykata e Posaçme janë në konflikt interesi. Megjithatë, nëse çështja shkon për gjykim, mund të ngrihet çështja e paanshmërisë dhe e përjashtimit nga gjykimi të magjistratëve që kanë një interes të drejtpërdrejtë në këtë çështje.
Për Banin dhe Pëllumbin situata është më e qartë: duke qenë kallëzues, ata nuk mund të jenë njëkohësisht edhe gjyqtarë të çështjes që buron nga kallëzimi i tyre. Por pikëpyetja që mbetet është se çfarë ndodh me pjesën tjetër të gjyqtarëve të së njëjtës gjykatë dhe si do të garantohej paanshmëria e trupit gjykues. Kjo është një çështje që do të marrë rëndësi vetëm nëse SPAK vendos të nisë hetimet dhe, më tej, të dërgojë dosjen në gjykatë.
Deri atëherë, kallëzimi mbetet në fazën e vlerësimit dhe ndaj ministrit Malaj dhe zyrtarëve të tjerë nuk mund të paragjykohet as ekzistenca e një akuze dhe as përgjegjësia penale.













