Gjatë podcastit të tij, kryeministri Rama është ndalur gjerësisht edhe te protesta që po zhvillohet prej 104 ditësh në vendin tonë, teksa sërish ka deklaruar se ai këtë lëvizje e sheh të mirë për demokracinë dhe vendin tonë.
Rama tha se, ndryshe nga diktatura, ku protesta dhe protestuesit trajtohen si kërcënim, ai nuk i ka parë tubimet si kërcënim.
“Nuk e kam parë kurrë një grumbullim njerëzish si kërcënim për demokracinë. Ky është dallimi mes diktaturës dhe demokracisë, sepse në diktaturë protesta dhe protestuesit trajtohen si kërcënim, si kokëpalë, huliganë dhe i kemi dëgjuar të gjitha këto”, u shpreh ai.
Po ashtu, kreu i qeverisë ka paralajmëruar qytetarët që marrin pjesë në protestë që të kenë kujdes nga “kokat e protestës”, të cilët, sipas tij, duhen marrë me rezerva, pasi vijnë në atë protestë me axhenda të tjera dhe sponsor nga pas.
“Ndërkohë, për shkak të dijenive, për shkak të detyrës që kam, më është dashur t’i informoj njerëzit për disa nga kokat e protestës, të cilët, në rastin më të mirë dhe më të butë, duhen marrë me rezerva, se vijnë në atë protestë me axhenda të tjera dhe sponsor nga pas”, tha Rama.
Më tej, kryeministri tha se protesta është një nga ndryshimet e mëdha që i ka ndodhur Shqipërisë.
“Por protestuesit, në tërësi, s’i kam parë si kërcënim dhe kjo është një nga ndryshimet e mëdha që i ka ndodhur Shqipërisë”, deklaroi kreu i qeverisë.












