Deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe, ka reaguar ashpër pas rritjes së çmimit të naftës në 229 lekë për litër, me 10 lekë më shumë se një ditë më parë.
Në një video të publikuar në rrjete sociale, Braçe thekson se ky çmim, i barabartë me 2.48 euro, është shumë më i lartë se në vendet e rajonit, të cilat nuk kanë ndryshuar çmimet.
Sipas tij, Mali i Zi e shet naftën me 1.87 euro, Kosova 1.76-1.85 euro, ndërsa Maqedonia e Veriut me 1.64 euro, edhe pse Kosova furnizohet nga të njëjtët shitës si Shqipëria.
“NAFTA 229 LEKË! Nuk është thjesht një produkt dhe një çmim, i rritur nga dje me 10 lekë! Cent me cent, është 2.48 euro! Fakt është se asnjë nga vendet kufitare me ne NUK e ka ndryshuar çmimin as dje, as sot.
Mali i Zi: 1.87 euro
Kosova: 1.76 – 1.85 euro
Maqedonia e Veriut: 1.64 euro
Po e përsëris, këto janë çmime që nuk janë ndryshuar as dje, as sot!”, shkruan Braçe
Braçe ngre dy shqetësime kryesore për institucionet që monitorojnë tregun, konkurrencën dhe politikën fiskale:
E para, modeli i tregut. Sipas tij, Shqipëria ka përfunduar me vetëm një furnizues-shitës nga ku nis çmimi, British Petroleum, i cili është i shtrenjtë, vetëm një port, dhe me marrëveshje të panjohura për ndarjen e fitimit dhe riskut nga blerjet në avancë, si dhe për aktivitetin anije më anije në det.
E dyta, struktura e taksave dhe tarifave brenda çmimit të naftës. Deputeti socialist kërkon rishikimin e taksës së qarkullimit dhe tarifave të shërbimeve që nuk kanë lidhje me vetë produktin.
“E para: Një herë të vetme duhet të merreni seriozisht me modelin e tregut. Kemi përfunduar të kemi vetëm një furnizues-shitës nga ku nis çmimi, British Petroleum, i shtrenjtë. Kemi përfunduar të kemi vetëm një port. Kemi vetëm një marrëveshje, deri tani të panjohur, veçanërisht për të parë se si ndahet përfitimi nga blerjet në avancë dhe risku prej tyre.
Kemi dy aktivitete: i pari i depozitimit dhe shitjes ditore te kompanitë shqiptare, dhe i dyti anije-më-anije në det, në territorin shqiptar – përsëri marrëveshje e panjohur dhe ndarja e përfitimeve po ashtu.
Pra, në të gjithë operacionin tregtar kemi vetëm një-dy operatorë!
E dyta: Është momenti për të parë strukturën e taksave dhe tarifave të futura brenda çmimit të naftës, duke filluar nga ato që nuk kanë lidhje me çmimin, por me taksa e tarifa për të cilat shteti ka institucione që paguhen shtrenjtë.” vijon deputeti socialist.
Braçe shprehet se shteti do të fitonte më shumë nga lufta ndaj kontrabandës me fqinjët, sesa nga mbajtja e këtij çmimi të lartë.
“Duhet bërë tani! Duhet të jesh pa sy e mendje për të parë e kuptuar që vetëm nga eliminimi i tregtisë dhe kontrabandës me fqinjët, do të fitohet shumë më tepër se sa nga ky çmim!” shkruan ai.












