Bashkimi Europian duhet të tregojë kurajë për të hedhur hapa të drejtë duke i ulur të gjitha vendet kandidate rreth tryezës, pa ndryshuar sistemin e meritës për secilin vend.
Ky ka qenë mesazhi i kryeministrit Edi Rama në mbërritje të samitit BE-Ballkani Perëndimor që zhvillohet në Bruksel.
Në një prononcim për mediat përpara nisjes së punimeve, kreu i qeverisë shqiptare e cilësoi këtë ngjarje të përvitshme si kulmin e vitit për të gjitha vendet kandidate dhe një moment të hapur e konstruktiv për të ballafaquar idetë mbi të ardhmen.
“Sigurisht, ky samit vjetor është ngjarja kryesore e vitit për të gjitha vendet kandidate. Ka rëndësinë e vet edhe për vendet anëtare. Është një moment për një bisedë të hapur dhe shumë konstruktive, për të shkëmbyer përshtypjet e vitit dhe idetë për të ardhmen. Është e rëndësishme të jemi këtu dhe pikërisht në samitin e këtij viti ka një arsye shumë të mirë për të ecur përpara drejt një integrimi më të madh. Mbetem i bindur se BE-ja duhet të ketë guximin të bëjë një hap të guximshëm përpara, duke sjellë të gjitha vendet kandidate rreth tryezës, pa ndryshuar procesin e bazuar në meritë për secilin vend, por duke u dhënë një sinjal të fortë qytetarëve tanë dhe botës”, tha Rama.
Lidhur me ecurinë e procesit të negociatave dhe mbylljen e kapitujve, Rama u shpreh se Shqipëria ndodhet në rrugën e duhur sipas planifikimit. “Ende presim dritën e gjelbër nga Komisioni, sepse siç e di gjithkush që është i përfshirë në këtë proces, Komisioni duhet gjithmonë të miratojë paraprakisht detyrat që ne kemi për të përgatitur”, deklaroi më tej kryeministri.
Samiti do të zhvillohet nën drejtimin e Presidentit të Këshillit Europian, António Costa dhe bën bashkë liderët e Bashkimit Europian dhe të vendeve të Ballkanit Perëndimor, me qëllim forcimin e partneritetit strategjik dhe përshpejtimin e procesit të integrimit evropian të rajonit.












