Kryeministri Edi Rama u ka bërë sërish thirrje protestuesve për dialog, pavarësisht refuzimeve të vazhdueshme nga ana e tyre. Përmes një postimi në rrjetet sociale, Rama ka publikuar një video të sofrës prej guri të vendosur para Kryeministrisë, mbi të cilën ka vendosur disa fletë me mbishkrimin “Dialog”.
Ftesa e kryeministrit vjen në një kohë kur protestuesit kërkojnë dorëheqjen e tij. Studentët dhe të rinjtë që janë bashkuar në tubime e konsiderojnë largimin e Ramës si zgjidhjen e vetme, duke refuzuar deri më tani thirrjen e qeveris për dialog.
Në ditët e para të protestave u shënuan përplasje mes policisë dhe protestuesve, si dhe dëmtime të institucioneve dhe bizneseve. Ndërkohë, gjatë ditës së djeshme, pjesëmarrja ishte më e ulët krahasuar me ditët e mëparshme dhe nuk u regjistruan përplasje.
Protesta ka hyrë në ditën e 15-të, ndërsa për ditën e sotme protestuesit kanë bërë thirrje të mblidhen në orën 10:00.












