Ashtu siç ishte paralajmëruar prej kohësh, Shqipëria ka hequr vizat me Republikën e Kinës dhe shtetin e Emirateve të Bashkuara Arabe.
Në vendimet e miratuara sot nga qeveria Rama, bie në sy firmosja e marrëveshjes ndërmjet Këshillit të Ministrave dhe qeverisë kineze, për heqjen e ndërsjellë të vizave. Shqiptarët tashmë mund të udhëtojnë drejt shtetit aziatik pa qenë më nevoja të pajisen me viza dhe mund të qëndrojnë të pashqetësuar deri në 180 ditë.
“Në mbledhjen e qeverisë kemi kaluar dy marrëveshje të rëndësishme të cilat shtojnë akoma më tej numrin e vendeve ku shqiptarët mund të udhëtojnë pa viza. Kemi lidhur marrëveshje me qeverinë e Republikës e Kinës dhe me qeverinë e Emirateve të Bashkuara Arabe. Të dyja këto marrëveshje do të krijojnë lehtësi të shtuar për qytetarët shqiptarë që dëshirojnë të udhëtojnë drejt këtyre 2 vendeve”, tha ministrja Xhaçka.












