Deputeti i “Lëvizjes Bashkë” Redi Muçi ka refuzuar hapur ftesën e Sali Berishës për t’u ulur në një tryezë opozitare të premten, duke përjashtuar çdo mundësi bashkëpunimi me PD-në, tani dhe në të ardhmen.
Muçi theksoi se PD dhe PS janë njësoj fajtore për ndërtimin e një sistemi oligarkiko-politik gjatë 35 viteve të fundit.
“Me Partinë Demokratike sigurisht që s’ka për të pasur asnjë lloj bashkëpunimi as në të ardhmen. Këtë e ka shprehur qartë edhe kryetari i Lëvizjes Bashkë, për arsyen e thjeshtë se ne praktikisht e konsiderojmë Partinë Socialiste njësoj fajtore si Partia Demokratike në ngritjen e këtij sistemi oligarkiko-politik që është ngritur në këto 35 vjet. Në këto dekada pluralizmi politik ka pasur një tendencë si të thuash për ta kanalizuar çdo oponencë tek hullia PS-PD dhe në ato pak raste kur ka pasur marrëveshje mes partish kanë qenë marrëveshje famëkeqe si është ky bashkimi i qelbësirave bashkë qoftë si të thuash Berisha me Metën, qoftë Rama me Metën më pas që i kanë sjellë vetëm të këqija vendit”, tha Muçi.












