Deputetët që janë futur për herë të parë në Kuvend kanë dorëzuar deklaratat e detyrueshme të pasurive për ta dhe personat më të afërt. Ato janë tashmë publike.
Vërehet se pjesa më e madhe e tyre kanë në pronësi kryesisht apartamente dhe prona të tjera të patundshme si dhe llogari bankare në lekë, euro dhe dollarë. Burimi i deklaruar i tyre është kryesisht kursime dhe trashëgimi.
Në këtë speciale, “RILINDJE.info” ju sjell deklaratat e pasurive të analizuara për deputetët që e dorëzuan atë për herë të parë.
Publicistja Iris Luarasi që tashmë është edhe deputete e Partisë Socialiste, sipas deklarimit të bërë, rezulton ndër të zgjedhurit e popullit me sasi të ndjeshme pronash e të ardhurash.
Ajo ka deklaruar katër prona, 2 apartamente me kredi, 1 me të ardhura, një me kursime, 1 me trashëgimi. Gjithashtu një makinë të 2007 blerë afro 25 mijë usd.
Luarasi ka disa llogari bankare, ku mes tyre njëra me 1 milionë e 450 mijë lekë të reja, një tjetër me 2.4 milionë lekë, një tjetër me mbi 26 mijë euro, një në dollarë me 9.800, një në paund me 3.400. Gjithsej rezultojnë 12 llogari me mbi 73 mijë euro në total. Ajo ka gjithashtu një fond investimi 10 mijë euro.
Për 9 muaj të 2025 ajo raporton mbi 6 milionë lekë të ardhura në universitet, konsulencë e këshillim si dhe 3 mijë paund britanikë.
Sakaq Luarasi figuron me 22 milionë lekë të reja kredi nga të cilat gjysmat i ka shlyer.












