Brenda vitit qeveria parashikon që në çdo pikë kufitare të ketë laborator për të kontrolluar ngarkesat me produkte ushqimore si në eksport dhe në import direkt në kufi.
Ministri i Bujqësisë Andis Salla tha në konferencë për mediat se fokus të shtuar në skemën e re kombëtare do të ketë edhe mbrojtja biologjike në bujqësi, pra që në vend të pesticideve të përdoren insekte për të luftuar dëmtuesit e bimëve.
Salla njoftoi edhe dyfishim të mbështetjes për bletarinë nga 1 mijë lekë për koshere në 2 mijë lekë, dhe 10% subvencion për çdo kilogram mjaltë, ndërsa tek blegtoria do të ketë financim direkt për të rinjtë që do të hapin biznes po në këtë sektor.
“Kemi diskutuar për të vendosur për të rinjtë dhe të rejat nga 18 vjeç deri në 35 vjeç mundësinë që ne t’i japim nga 7 deri në 10 mijë euro. Po e shikojmë me financat për të diskutuar mbështetjen financiare për të përllogaritur që çdo i ri dhe e re që hap një biznes, kryesisht në blegtori, të jetë pjesë e mbështetjes sonë”, tha ministri.












