Socialistët përmes ndryshimeve ligjore në Kodin e Procedurës Penale nuk do të lejojnë gjykatat që të pezullojë nga detyra ministrat apo një post tjetër kushtetues.
Grupi Parlamentar socialist do të diskutojë sot nismën ligjore të paralajmëruar nga Kryeministri Edi Rama, për të zgjidhur mosmarrëveshjen e kompetencave mes ekzekutivit dhe gjykatave lidhur me vendimin për pezullimin nga detyra të Belinda Ballukut.
Mbledhja, e cila pritet të nisë rreth orës 09:00 të mëngjesit do të zhvillohet në praninë e mediave. Përmes ndryshimeve ligjore, PS synon mbrojtjen e ministrave nga masa e pezullimit nga detyra. Kjo lëvizje e qeverisë vjen pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese që la në fuqi vendimin e GJKKO për pezullimin e Belinda Ballukut nga detyra. Në podcast-in e tij “FLASIM”, Kryeministri Edi Rama njoftoi se prezantimi i nismës do të bëhet sot para deputetëve të PS-së.
“Gjithsesi, tanimë kur as Gjykata Kushtetuese nuk mori dot vendim për rastin konkret, ne do të kalojmë përtej rastit konkret dhe të hënën në cilësinë e deputetit, unë, së bashku me kryetarin e grupit Taulant Balla dhe me Kryetarin e Komisionit të Ligjeve, Ulsi Manja, pra, me tri firmat tona do të depozitojmë nismën për të adresuar menjëherë boshllëkun në fjalë. Nisma do t’i paraqitet fillimisht Grupit Parlamentar në mbledhjen e tij të fillim javës, ditën e hënë në mëngjes dhe do të jetë transparente edhe për opinionin publik, pasi prezantimi i nismës do të bëhet me praninë e medias”, tha Rama.












