Kryeministri Edi Rama ka shpërthyer sot në Prishtinë kundër Gjykatës Speciale në Hagë, që është ngritur për të gjykuar krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).
Rama e ka cilësuar Prokurorinë Speciale si një “prokurori idiotësh”, duke akuzuar se ata janë kthyer në instrumente politike, më keq se sa prokuroritë e Serbisë.
Rama ka shprehur indinjatën e tij për mënyrën se si po zhvillohet procesi në Hagë, duke theksuar se është një katastrofë për drejtësinë dhe për shumë shtete demokratike që e ndjekin këtë proces në heshtje.
Rama ka kritikuar ashpër Gjykatën Speciale, duke theksuar se ajo është përdorur si një mjet për të dënuar liderët e Kosovës, pavarësisht arritjeve të mëdha që ka pasur UÇK-ja në luftën për çlirimin e Kosovës.
“Është prokurori idiote. Ata nuk janë vetëm idiotë, por instrumente edhe më politike se gjykatat në Serbi, në raport me Kosovën. Me ligjet e kohës, nëse i referohemi, kur ka ndodhur lufta, nëse UÇK nuk do ta fitonte luftën dhe populli nuk do të çlirohej, në gjykatat e asaj Serbie nuk do të gjykojë kush. 45 vite, varrosje për së gjalli e njerëzve. Drejtësia ndërkombëtare, e financuar nga shtetet demokratike që për turpin e tyre vazhdojnë ta ndjekin këtë katastrofë për Europën dhe botën demokratike, për 4 njerëz krejtësisht të pafajshëm. Kjo bën fatkeqësisht që ne sot të ngremë një pikëpyetje për veten tonë se çfarë mund dhe duhet të bëjmë! Nuk e kam përgjigjen për këtë”, tha Rama.












