Kryetari i SPAK, Altin Dumani konfirmoi se ka nisur një procedim penal lidhur me abuzimet me fondet e programit europian IPARD (Instrumenti për Asistencën e Para-Aderimit për Zhvillimin Rural).
Dumani theksoi se çështja është në fazën e hetimeve paraprake dhe se po bashkëpunohet ngushtë me Zyrën Europiane Kundër Mashtrimit (OLAF) për zbardhjen e plotë të rastit.
Në përgjigje të pyetjes së deputetes se PD, Elda Hoti nëse hetimet përfshijnë edhe ish-ministren e Bujqësisë, Frida Krifca, kreu i SPAK u shpreh se nuk përjashtohet askush.
“Në atë procedim penal, hetohet çdo person që dyshohet se ka kryer veprime të paligjshme,” u shpreh Dumani, duke lënë të hapur mundësinë e hetimeve ndaj zyrtarëve të lartë, përfshirë Krifcën, e cila ka shërbyer si Drejtore e AZHBR-së dhe më pas Ministre e Bujqësisë gjatë periudhës ku dyshohen abuzimet.
	    	











