Gjirokastra dhe Vlora renditen ndër rajonet me peshën më të ulët të popullsisë në moshë pune jo vetëm në Ballkanin Perëndimor, por edhe në Europë, duke reflektuar një strukturë demografike gjithnjë e më të plakur në Jug të Shqipërisë.
Sipas të dhënave më të fundit të Eurostat për vitin 2025, vetëm 54.1% e popullsisë së Gjirokastrës dhe 54.2% e asaj të Vlorës i përket grup-moshës 20–64 vjeç. Në krahasim me rajonet e Bashkimit Europian, vetëm rreth 12% e rajoneve NUTS 3 kanë një peshë më të ulët të popullsisë në këtë grup-moshë.
Në skajin tjetër qëndron Tirana, ku 60.5% e popullsisë është 20–64 vjeç, niveli më i lartë mes qarqeve shqiptare dhe një nga më të lartët edhe në krahasim me rajonet europiane.
Në nivel kombëtar, popullsia 20–64 vjeç përbën 57.9% të popullsisë së Shqipërisë. Por diferencat territoriale janë të forta. Pas Tiranës, përqindjet më të larta regjistrohen në Dibër, me 58.5%, Durrës, me 58.2%, Kukës, me 58.1%, dhe Elbasan, me 58%. Berati është në 57.4%, ndërsa më poshtë renditen Lezha me 56.7%, Shkodra me 56.5%, Korça me 55.9% dhe Fieri me 55.2%.
Diferenca mes Tiranës dhe Gjirokastrës arrin në 6.4 pikë përqindje, duke treguar një ndarje të fortë demografike brenda një vendi me territor dhe popullsi relativisht të vogël.
Kjo ndarje bëhet edhe më e dukshme në tre rajonet e mëdha statistikore. Rajoni Qendër, ku përfshihet Tirana, ka 59.9% të popullsisë në moshën 20–64 vjeç. Në Veri pesha është 57.6%, ndërsa në Jug zbret në vetëm 55.5%.












