Avokatja Brizida Gjikondi tha se për shkak të lobimit me shifër marramendëse kreu i PD Sali Berisha po shmang takimet dhe pyetjet me gazetarët pasi kjo është tema më e nxehtë e sferës politike në vend.
Gjikondi e konsideroi si të turpshëm veprimin e Berishës dhe të Partisë Demokratike. Ajo i mëshoi faktit se është pa sens që të japësh lekë për të fshirë një njollë, ku je shpallur “non grata” për korrupsion.
“Unë mendoj se prandaj është anuluar dhe takimi, sepse u shmanget pyetjeve të gazetarëve. Për herë të parë kemi një lobimi kaq të frikshëm për të hequr njollën e Berishës. Është e turpshme, nuk ka asnjë shqiptar dhe asnjë kompani që t’i paguajë Berishës 6 milionë dollarë. Ajo është një kontratë dinake dhe me hile. SPAK duhet të shikojë se përse kjo kontratë po bëhen pikërisht tani që është fushata zgjedhore. Unë pres që SPAK ta shikojë në detaje këtë gjë. Mua gjëja që më ka shqetësuar në fakt është një imoralitet ekstrem, që një “non grata” për korrupsion ta paguash me lekë. Të lash njollën që të kanë vendosur me lekë. “Non grata” është e Berishës, nuk ka përse të përfshihet partia për diçka individuale”, tha Gjikondi në ABC News.












