Mesditën e kësaj të enjteje është miratuar me 13 vota pro projektligji për krijimin e Bordit të Paqes për Gazën, në Komisionin për Politikën e Jashtme të Kuvendit.
Burime për mediat bëjnë me dije se projektligji u mbështet njëzëri si nga deputetët e Partisë Demokratike ashtu edhe nga ata të Partisë Socialiste, pa asnjë votë kundër apo abstenim. Miratimi u bë sipas variantit të propozuar nga Këshilli i Ministrave.
Gjatë mbledhjes së Komisionit të Jashtëm u rrëzua amendamenti i Partisë Demokratike, i cili parashikonte që Shqipëria të përfaqësohej në Bordin e Paqes nga Presidenti i Republikës, Bajram Begaj dhe jo nga kryeministri Edi Rama.
Në komision, ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali, theksoi se ky projektligj është në përputhje me kushtetutën e Republikës së Shqipërisë dhe me ligjin për marrëveshjet ndërkombëtare. Ajo nënvizoi se partneriteti i propozuar mbetet një garanci për orientimin euroatlantik të vendit dhe një shtyllë kryesore e politikës së jashtme.
Ndërkohë, pak pas përfundimit të votimit, ka qenë vetë kreu i Shtetit, presidenti Bajram Begaj, i cili ka autorizuar kryeministrin Rama për të përfaqësuar Shqipërinë në Bordin e Paqes për Gazën.












