Mbledhja e Komisionit të Ligjeve në Bashkinë e Tiranës ka shtyrë mbledhjen e cila ishte parashikuar të mbahej sot.
Burime për mediat bëjnë me dije se Komisioni i Ligjeve do të mblidhet paraditen e së martës në orën 10:00, ku dhe pritet të fusë në rend dite të Këshillit Bashkiak shkarkimin e kryebashkiakut të arrestuar të Tiranës, Erion Veliajt.
Ditë më parë qytetari i parë i Tiranës, Erion Veliaj iu drejtua me një kërkesë anëtarëve të Këshillit Bashkiak Tiranës ku dhe i kërkoi që të jetë i pranishëm në mbledhjen e këtij këshilli ku dhe pritet shkarkimi i tij.
Në kërkesën e tij, Veliaj sqaron se mungesa e mbi 6 muaj në detyrë nuk është si pasojë e vullnetit të tij, por rrjedhojë e një mase sigurie disproporcionale, për të cilën tha se do ta kundërshtojë në çdo instancë gjyqësore, deri në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut.
Por, mësohet se deri më tani këshilltarët socialistë nuk kanë marrë asnjë vendim sa i përket kësaj kërkese të kryebashkiakut Veliaj.












