PD ka ngritur një grup pune prej 3 personash të cilët do të negociojnë me partitë e tjera opozitare për të përzgjedhur emrat e kandidatëve që do të garojnë për Bashkinë e Tiranës dhe 5 bashkitë e tjera ku do të mbahen zgjedhje të parakohshme.
Lajmi u konfirmua nga Sali Berisha i cili tha se grupi i punës i autorizuar prej tij përbëhet nga Ilir Alimehmeti, Belind Këlliçi dhe Flamur Noka.
Berisha theksoi se vetë nuk është i gatshëm të pronocohet për të treguar se kush është emri i kandidatit të tij të preferuar.
“Unë kam ngarkuar një grup prej 3 personash që do të negociojnë me partitë e tjera për emrat. Belind Këlliçi, Flamur Noka, Ilir Alimehmeti do të jenë përfaqësuesit tanë, do të negociojnë me partitë e tjera. A më shkon mua që nga njëra anë ti ngarkoj e tu them partive opozitare qe do negocioj e të them emra, Sot do të mblidhen, punën e kanë filluar që dje. Ata do takohen me kandidatët me partitë, duhet të bien dakord për emra, pastaj vjen radha e kandidatëve. Nuk do prononcohem për emrin që preferoj unë, sepse ky është një proces, në të kundërt do të thosha ky është i preferuar”, tha Berisha.
Janë 6 bashki në vend (Tirana, Vlora, Mati, Tepelena, Berati dhe Cërriku) ku pritet të mbahen zgjedhje të parakohshme.












