Pas një muaj shumë intensiv me fushatën elektorale dhe 24 orë heshtje zgjedhore, qytetarët shqiptarë u drejtohen sot qendrave të votimi për të zgjedhur përfaqësuesit e tyre në Kuvend.
Këto janë zgjedhjet e 11-ta në Republikën e Shqipërisë, pas ardhjes së demokracisë, ndërsa 2.046 kandidatë garojnë për 140 vende në Parlament.
Qendrat e votimit do të hapen në orën 07:00 dhe do të mbyllen në orën 19:00, për të vijuar më tej me procesin e numërimit të votave.
Të drejtën e votës të dielën e kanë 3,713,761 shtetas shqiptarë, brenda e jashtë vendit. Për herë të parë në historinë e zgjedhjeve parlamentare në vend, listat zgjedhore përfshijnë dy kategori: Zgjedhësit që jetojnë brenda vendit; Zgjedhësit që jetojnë jashtë vendit. 245 935 shqiptarë në diasporë u regjistruan për të votuar.
Në garë për të siguruar shumicën e 140 ulëseve në Kuvendin e ri, janë 11 subjekte apo koalicione politike, kandidatët e të cilëve janë vendosur në lista të hapura dhe të mbyllura. Çdo subjekt garon me 186 kandidatë në listën e votimit të KQZ-së, ku 46 janë nga lista e mbyllur. Kësaj radhe, në asnjë qark të vendit, nuk konkurron asnjë kandidat i pavarur.
Kush janë 11 subjekte apo koalicionet politike?
- Koalicioni Partia Demokratike–Aleanca për Shqipërinë Madhështore i drejtuar nga Sali Berisha
- Lëvizja Bashkë e drejtuar nga Arlind Qori
- Lëvizja Atdheu e drejtuar nga Kreshnik Osmani
- Koalicioni Euroatlantik i drejtuar nga Endri Hasa
- Partia Socialiste e Shqipërisë e drejtuar nga Edi Rama
- Koalicioni Nisma Shqipëria Bëhet e drejtuar nga Adriatik Lapaj
- Aleanca Kombëtare Shqiptare e drejtuar nga Elena Kocaqi
- Aleanca Demokracia e Re e drejtuar nga Edmond Stojku
- Koalicioni Djathtas për Zhvillim i drejtuar nga Dashamir Shehi
- Mundësia e drejtuar nga Agron Shehaj
- Partia Socialdemokrate e drejtuar nga Tom Doshi












