Gazetari Blendi Fevziu ka reaguar sërish në kundërpërgjigje të postimit të kryeministrit Edi Rama, paraditen e sotme, 9 janar.
Përmes një shkrimi të gjatë në rrjetet sociale, fillimisht Fevziu ndalet te ajo që e ka habitur më shumë në reagimin që pasoi nga kritika që ai u bëri ministrave në emisionin e së enjtes në “Opinion”. Sipas tij, në mes të situatës së jashtëzakonshme me përmbytjet, zjarrin te tregu i “5 majit” apo krizën politike, kreu i qeverisë zgjodhi të ndalej te kjo problematikë.
Teksa i qëndron deklaratave të tij se ministrat nuk japin llogari para shtypit, pranon edhe ‘gabimin’ që bëjnë mediat.
“Kryeministri i Shqipërisë ishte shqetësuar nga një fragment i emisionit të djeshëm në Opinion, ku ministrat dhe drejtorët e tij sfilonin mes sipërfaqeve të përmbytura, duke bërë muhabet me vete. Po, po, me vete, duke u parë në sy, të ndjekur nga një kameraman i ministrisë që ecte mbrapsht.
Këto pamje, të transmetuara live thuajse kudo, ishin për mua jo vetëm një shëmtim moral, por edhe një lloj papërgjegjshmërie, që ministrave të sotëm u vjen nga impotenca e ideve, mungesa e karizmës dhe personaliteti i gjymtuar. Por s’do të zgjatem në këtë pikë, sepse meriton një shkrim më vete. Dhe javët e fundit kanë plot histori që mund të tregohen për këtë gjë…
U çudita që, me 1/3 e Shqipërisë nën ujë; me një zjarr që shkumboi miliona dollarë të tregtarëve të vegjël të Tiranës; me krizën parlamentare të shkaktuar nga kërkesa e SPAK për ndryshimin e masës së sigurisë ndaj një anëtareje të Kabinetit dhe nga akuzat për problemet në AKSH, problemi i vetëm që meritonte polemikë ishin daljet në TV të ministrave.
Po, daljet në çdo ekran të ministrave që bëjnë muhabet me vete, ose që diskutimet e zyrës i bartin në ndonjë cep të Shqipërisë duke shpenzuar kohën që duhet t’ua kushtojnë qytetarëve, është vërtet një shëmtim. Shumica nuk i pranojnë gazetarët, i montojnë lajmet me ekipet e tyre dhe ne i përcjellim pa asnjë mundësi verifikimi. Ndaj dje, vura bashkë me imazhin e tyre atë të Presidentit të SHBA-së ose të Prokurores së Përgjithshme, ku tregohej se kudo, shtetarët japin llogari përpara shtypit, jo kameramanit të ministrisë.
Akoma më i shëmtuar është fakti që këto kronika transmetohen edhe disa ditë më pas, kur protagonistët e tyre janë në impenjime të tjera ose nuk janë fare në Shqipëri. Nëse doni një shembull, mjafton të kujtoni se si Veliaj ishte në një event të Bashkisë “live”, kur BKH e mori nga zyra e tij. Shikuesit nuk kuptonin më lajmet që u vinin me njoftim për arrestimin, ndërkohë që ai vijonte të fliste në ekran. E njëjta gjë ka ndodhur edhe kur ministra të tjerë kanë qenë në Vjenë apo Emirate dhe ndërkohë shfaqeshin në ekran.
Por po të jap të drejtë: kjo s’ka ndonjë rëndësi. Rëndësi kanë dy “fake”:
E para, që llogaridhënia e ministrave përpara shtypit është zero, po zero.
E dyta, që shtypi është më përgjegjës se ministrat që ua transmeton kronikat e tyre. Po, përgjegjësia është e JONA!“, shkruan Fevziu.












