Gjykata e Posaçme ka refuzuar ankimimin e ish-ministrit të Financave Arben Ahmetaj për kontrollet e ushtruara, në banesën e bashkëjetueses së tij dhe atë të ish-gruas.
Ahmetaj ankimoi vendimin e kontrollit, ku kërkoi që të shpallet anti-kushtetues dhe i paligjshëm, por kjo ankesë nuk u mor parasysh nga gjyqtari Dhimitër Lara, i cili shqyrtoi ankimimin.
Pak ditë më parë ish-ministri i Financave Arben Ahmetaj ka ankimuar në Gjykatën e Posaçme kontrollin e kryer në shtëpitë e ish-gruas dhe bashkëjetueses së tij. Ai pretendon se nuk është marrë leje nga Kuvendi për këto kontrolle, pasi ai është deputet dhe ka imunitet.
Avokatët mbrojtës të ish-ministrit kundërshtuan kontrollin e ushtruar më 9 mars nga Agjentët e Byrosë Kombëtare të Hetimit, me pretendimin se SPAK ka shkelur ligjin dhe kushtetutën, duke mos marrë një autorizim nga Kuvendi për kontrollin e banesës ku Ahmetaj bashkëjeton.












