Kryetari i Partisë Mundësia, Agron Shehaj, ka reaguar pas përjashtimit të Elisa Spiropalit nga grupi parlamentar i Partisë Socialiste dhe paralajmërimit të kësaj të fundit se do të mbajë një deklaratë publike ditën e nesërme nga Kryesia e Kuvendit.
Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Shehaj ironizon ish-kryetaren e Kuvendit, duke u shprehur se qytetarët nuk presin prej saj të flasë për shkeljen e të drejtave të saj, por për vjedhje të parave të shqiptarëve, duke përmendur edhe Belinda Ballukun.
Sipas Shehajt, prej muajsh publiku po ndjek përplasjet mes Edi Ramës, Erion Veliajt, Belinda Ballukut dhe Elisa Spiropalit dhe i drejtohet drejtpërdrejt kësaj të fundit duke i kërkuar të flasë hapur për atë që po ndodh brenda Partisë Socialiste.
“Nesër do flasë Elisa Spiropali!
Nesër Elisa nuk do na flasë për mënyrën se si kanë vjedhur dhe ku i kanë fshehur paratë e shqiptarëve, por do të flasë për përplasjen se si iu shkelën të drejtat Elisa Spiropalit, se si Belinda Balluku merr pjesën më të madhe të parave që i vjedhin shqiptarëve dhe se si Erion Veliaj ka vjedhur dhe shkon në burg, kurse Belinda Baklluku që po ashtu ka vjedhur nuk shkon në burg.
Prej muajsh dëgjojmë përplasjet midis Edi Ramës, Veliajt, Belindës dhe Elisës. Tani, mos na hapni më barkun me këto diskutime. Nëse keni ndërmend të flisni, flisni troç, ndryshe qepeni!”, shprehet Shehaj.












