President i Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar ka treguar detaje nga drafti për rikthimin e basteve sportive, i cili shumë shpejt do publikohet për konsultim publik. Sipas Fidel Yllit, personat që do të luajnë, do të jenë të identifikuar dhe po ashtu edhe shuma që do luhet.
“Ti do të vesh kartën ID, dhe do të futesh të luash online. Duke luajtur online, policia të kontrollon. Do të kontrollet shuma që luhet, do të jetë një kontroll i rreptë”, tregoi Fidel Ylli në A2 CNN.
Fidel Ylli shpjegoi se me paratë që do sigurohen nga vjelja e taksave të këtyre bizneseve, do të mund të ndihmohet sporti apo edhe Ministria e Shëndetësisë, e cila do të jetë përfaqësuese në komision për ata persona që janë të varur nga bastet dhe duhet të rehabilitohen.












