Mungesa e kontaktit me gazetarin Elton Tozaj për disa ditë ka ngritur shqetësime mes personave të afërt dhe ndjekësve të tij, veçanërisht pas deklaratave dhe denoncimeve që ai ka bërë së fundmi për disa personazhe të njohur të showbiz-it shqiptar.
Militani demokrat Ilir Vrenozi ka treguar se kishte humbur kontaktet me gazetarin dhe se përpjekjet për të komunikuar me të kishin rezultuar të pasuksesshme.
Sipas Vrenozit, shqetësimi nisi pasi Tozaj kishte paralajmëruar një transmetim të drejtpërdrejtë, gjatë të cilit do të publikonte informacione të reja, por më pas nuk ishte përgjigjur në telefon.
“Tozaj tha se në orën 22:00 do të jepte lajme bombë e unë prisja lajme bombë. I shkruajta dhe thashë kushedi, edhe në mëngjes nuk e hapi telefonin. Prapë mendova se kushedi është në ndonjë spital. Iku e mërkura dhe u shqetësova shumë. Shqetësimin tim e kam ngritur në rrjetet e mia. Më kontaktoi dhe Elton Ilirjani, edhe ai ishte në merak”, tregoi ai.
Megjithatë, gjatë emisionit Vrenozi ndau edhe një informacion tjetër, sipas të cilit mungesa e Tozajt mund të lidhej me një pjesëmarrje të mundshme në “Big Brother VIP Kosova”.
“Elton Tozaj më duket se nesër është banori i ri i Big Brother Kosova. Është lajm që është pozitiv. Është me 90 për qind e vërtetë. Më mori në celular një mik dhe më tha këtë lajm, pra do jetë banor i BBVK. Uroj të jetë 100 për qind lajm i vërtetë”, deklaroi Ilir Vrenozi.












