Kryeministri Edi Rama di kurrë më parë ka shpërndarë këtë të martë një video-mesazh nga salla e Këshillit të Sigurimit.
Nga SHBA-ja, Rama tha se ditën e nesërme nën kryesimin e Shqipërisë, Këshilli do të zhvillojë një nga seancat më të rëndësime për Ukrainën.
“Si pjesë e programit të punës të Këshillit të Sigurimit gjatë muajit shtator, nën kryesimin e Shqipërisë, Këshilli do të mblidhet nesër për atë që, me gjasë, është takimi më i rëndësishëm për Ukrainën, qysh prej fillimit të pushtimit në shkallë të gjerë nga Rusia.
Do të kem nderin të kryesoj këtë takim. Krerët e shteteve dhe të qeverive të anëtarëve të Këshillit të Sigurimit, si dhe, më gjerë, të anëtarëve të Kombeve të Bashkuara, përfshi Ukrainën, do të kenë mundësi të shprehin pikëpamjet e tyre dhe të shkëmbejnë ide, jo vetëm rreth luftës që po zhvillohet dhe pasojave mbi Ukrainën e popullin e saj, por edhe për ndikimin që po prodhon lufta mbi paqen e sigurinë ndërkombëtare, zhvillimin ekonomik dhe veprimin shumëpalësh.
Do të jetë hera e parë, që prej fillimit të luftës, që Presidenti Zelensky do të jetë në Kombet e Bashkuara dhe në Këshillin e Sigurimit. Shpresoj që ky Debat i Hapur i Nivelit të Lartë të mobilizojë botën në përpjekjet e saj të përbashkëta për të dënuar luftën e për të rritur trysninë ndaj Rusisë, për të kthyer rrugë dhe për t’i lënë vend nisjes së procesit të paqes së drejtë.
Ja pse Shqipëria ka vendosur të vendosë theksin te nevoja thelbësore për një veprim efektiv shumëpalësh, si metoda më e mirë për zgjidhjen e problemeve të përbashkëta, sidomos, të paqes e sigurisë, në diskutimin e këshillit dhe, më gjerë, mes anëtarëve të Kombeve të Bashkuara. Pra, u vendos! ”-tha Rama.












