Prokuroria e Posaçme ka refuzuar kërkesën e ish-kryeministrit Sali Berisha i cili kërkoi të marrë pjesë në seancat plenare në Kuvend.
SPAK nuk jep detaje përse dy prokurorët Arben Kraja dhe Enkeleda Millonai i refuzuan kërkesën ish-kryeministrit i cili akuzohet për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni pasiv”.
“Personi nën hetim Sali Berisha (i përfaqësuar nga mbrojtësit e tij Sokol Mëngjesi dhe Genci Gjokutaj) ka depozituar në datën 15.01.2024 një kërkesë me anën e së cilës kërkonte lejimin e tij për të marrë pjesë në seancat plenare të Kuvendit, në cilësinë e deputetit. Pasi janë njohur me përmbajtjen e kësaj kërkese, me vendimin e datës 18.01.2024 Prokurorët kanë vendosur mospranimin e saj”, tha SPAK.












