Procesi i “vetting-ut” do të aplikohet edhe në Policinë e Shtetit. Muhamet Rrumbullaku firmosi urdhrin për miratimin e ‘Formularit të vetëdeklarimit’ mbi verifikimin e integritetit të punonjësve të strukturave të Policisë së Shtetit.
“Integriteti i shëndoshë i punonjësve të Policisë së Shtetit dhe pastrimi i strukturave nga elementë brenda nesh, të cilët shkelin ligjin dhe betimin, është një proces prioritar dhe i rëndësishëm. Askush që cenon besnikërinë ndaj uniformës së shenjtë të Policisë së Shtetit nuk do të ketë vend në strukturat e saj”, tha Rrumbullaku.
Procesi i vetëdeklarimit do të zgjasë deri më 30 qershor dhe në rast të plotësim të pasaktë ose të dhëna të pavërteta në formularin e vetëdeklarimit, efektivi do të largohet urgjent nga puna me Policinë e Shtetit.












