Prokuroria e Vlorës ka transferuar për në SPAK një tjetër dosje për përfitime abuzive me tokat në Himarë, ku mes përfituesve rezulton edhe kryetari aktual i komanduar i kësaj bashkie, Arqile Bollano.
Përfitimi i rreth 14 mijë m² tokë në Himarë në vitin 2015 nga familja e kryetarit aktual të Bashkisë së Himarës, Arqile Bollano është duke u hetuar nga Prokuroria e Posaçme. Dosja është trasnferuar për kompetencë në SPAK nga Prokuroria e Vlorës, pas hetimit të një sërë procedurash për dhënien e tokës familjeve bujqësore nga Bashkia Himarë, që dyshohet se janë abuzive.
“BIRN” mësoi se gjatë procedurave të ndërmarra në vitin 2015 nga Bashkia e Himarës, për plotësimin me tokë bujqësore të familjeve që kishin marrë sipërfaqe të mangëta gjatë ndarjes së tokës në vitin 1992 sipas ligjit 7501, ka pasur përfitime të pamerituara nga disa familje, mes tyre dhe ajo e kryebashkiakut aktual, Arqile Bollano.












