Ilir Meta kërkon të dalë nga burgu duke bërë rekurs në Gjykatën e Lartë ndaj masës së sigurisë “arrest me burg” të caktuar ndaj tij.
Avokati Genc Gjokutaj dorëzoi rekursin duke thënë se nuk ka prova për ta mbajtur Metën në burg.
“Kemi paraqitur të gjitha dokumentet që nga ndalimi kriminal që i është bërë, pastaj për secilin episod, për lobimin në SHBA që Meta ka dhënë shpjegim ku nuk ka asnjë penalitet, është i sqaruar procedimi në lidhje me lobimin, kemi sqaruar deklarimin e pasurisë së Metës dhe pastaj edhe për ÇEZ-DIA, një çështje e bazuar mbi dëshmitarë të rremë, prova të marra në kundërshtim me ligjin. Ne do ta vazhdojmë këtë betejë, është e njëjta rrugë që ndoqëm dhe me Berishën, do t’i drejtohemi Strasburgut nëse do të jetë e nevojshme“, tha Gjokutaj.
Ilir Meta qëndron në paraburgim prej datës 21 Tetor, teksa po hetohet nga SPAK për veprat penale “korrupsion”, “pastrim të parave” dhe “fshehje e mosdeklarim të pasurisë”.












