Sali Berisha paralajmëroi protesta të fuqishme nëse nuk lejon emigrantët (pa ID shqiptare) të votojnë me pasaporta të huaja të përkatësisë së vendit ku jetojnë.
Berisha i bëri thirrje mazhorancës që të lejojnë të votojnë emigrantët me çdolloj dokumenti që disponojnë.
“Atëherë nëse nuk keni frikë dhe tmerr nga vota e shqiptarëve, të votojnë shqiptarët jashtë vendit me çfarëdo dokumenti që disponojnë. Unë i bëj thirrje shqiptarëve të përgatiten për demonstratat më të fuqishme para ambasadave të narko-shtetit, në qoftë se nuk votohet në këtë Parlament ligji i cili u njeh atyre, njëlloj siç bën Kosova, njëlloj siç bën Maqedonia, njëlloj siç bën çdo vend tjetër, dokumentet biometrike që faktojnë identitetin e tyre plotësisht” tha Berisha.
Kësaj deklarate të Berishës i është përgjigjur ministri Taulant Balla i cili tha: “Mjaftojnë 2 dokumenta për tu regjistruar, i pari është ID ose pasaportë edhe nëse është e skaduar. Tjetra është një dokument që të vërtetojë adresën. Një dokument japin për adresën dhe kur plotësojnë adresën japin dokument tjetër. Mos u gënjeni nga njëri që ka 30 vjet që gënjen. Është e paligjshme të regjistrohesh me një dokument të një vendi tjetër”.












