Kryeministri Edi Rama ka mbërritur pasditen e sotme në bashkinë e Fierit ku kërcënoi drejtuesit me një valë shkarkimesh, duke e quajtur “aksionin e vetëpastrimit”.
Kreu i qeverisë do të zhvillojë një takim me drejtuesit vendorë lidhur me lirimin e hapësirave publike ku pritet të kryhen disa shkarkime në postet drejtuese të bashkisë së Fierit.
Rama është parë i shoqëruar teksa hynte në godinën e bashkisë së Fierit, nga kryetari i kësaj bashkie Armando Subashi dhe zv.kryeministrja Belinda Balluku, e cila është dhe drejtuese politike e PS në qarkun Fier.
“Sot pasdite jam në Bashkinë e Fierit, ku do të vijojmë të njëjtën përpjekje një vetëpastrim dhe vetëlehtësim të brendshëm të strukturës, një domosdoshmëri pas një periudhe të gjatë qëndrimi në të njëjtat pozicione dhe me të njëjtët njerëz. Po ashtu, kjo është një nevojë për të parë realitetin e qyteteve tona të mëdha me sy të freskët”, u shpreh Rama, duke paralajmëruar ndryshime.












