Efektivë të Policisë së Burgjeve kanë mësyrë mesditën e kësaj të premte në ambientet e Paraburgimit të Fierit, aty ku ndodhet i akomoduar edhe kryebashkiaku socialist i Tiranës, Erion Veliaj.
Mediat raportojnë se në fokusin e kontrolleve ka qenë pikërisht qelia e Veliaj, për shkak të një letre që ai ka shkruar dhe e ka publikuar në llogarinë e tij, drejtuar ish-zv.kryeministres Belinda Balluku.
Me urdhër të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, në qeli janë ushtruar kontrolle por nuk është gjetur asnjë send i paligjshëm. Kryebashkiaku Erion Veliaj raportohet se ka qenë i qetë dhe më ironi u është drejtuar oficerëve: Lapsin dhe letrën nuk mi merrni dot!
Avokati Plarent Ndreca njofton se në orën 13:14 të kësaj të premte, Erion Veliaj e ka telefonuar përmes telefonit të burgut dhe i ka treguar për bastisjen e qelisë.
“Na kanë dërguar për kontroll”, raportohet se kanë thënë oficerët e Policisë së Burgjeve, të pyetur nga kryebashkiaku Erion Veliaj për arsyen dhe qëllimin e kontrolleve. Sipas avokatit Plarent Ndreca, kontrollet menjëherë pas letrës publike, tregojnë shumë për situatën në DPB.
Raportohet se SPAK dhe Drejtoria e Burgjeve e kanë lejuar Erion Veliajn që të operohet në Fier, ndërsa kryebashkiaku kërkon me ngulm që operacioni të kryhet pranë spitalit Continental në Tiranë. Sipas avokatit, ata nuk njohin as mjekët dhe as spitalin Memorial në Fier, kurse në Tiranë janë të bindur për profesionalizmin e mjekëve dhe i njohin.












