Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike ka ndarë një mesazh ngushëllimi për ndarjen e parakohshme dhe të padrejtë nga jeta të Gertan (Gerti) Bilero.
Drejtori i Tensionit të Lartë në Njësinë Jugperëndim, në OSSH ka mbyllur sytë dje në moshën 50 vjeçare.
Pas një betejë të gjatë me sëmundjen e rëndë, Gerti fatkeqësisht si rrallëherë në jetë, e ka humbur betejën.
“Familja jonë e madhe e energjetikës humbi një nga njerëzit e saj më të dashur, Gertan (Gerti) Bilero, 50 vjeç, Drejtor i Tensionit të Lartë në Njësinë Jugperëndim, në OSSH. Gerti nuk ishte thjesht një inxhinier e drejtues, ai ishte shembull i përkushtimit, i profesionalizmit dhe i guximit për të përballuar sfida të mëdha. Për vite me radhë mbajti me dinjitet disa funksione drejtuese të OSHEE, si shef i Tensionit të Lartë në njësinë jugperëndim, më tej kryeinxhinier për rajonin e Fierit dhe Vlorës, si dhe në strukturat e OST, duke lënë gjurmë të pashlyeshme në rrjetin tonë energjetik dhe në zemrat e kolegëve“, njofton OSHEE.












