Organizata e veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ka njoftuar se sot në orën 17:00, në sheshin “Skënderbej” në Tiranë, do të mbahet një protestë mbarëkombëtare në mbështetje të luftës së UÇK, për të kërkuar drejtësi për ish-krerët e saj që po përballen me drejtësinë në Gjykatën Speciale në Hagë.
Kryetari i OVL-UÇK, Hysni Gucati në një konferencë për media më 14 tetor, tha se në këtë tubim do të mbajë fjalë ish-presidenti shqiptar Alfred Moisiu dhe kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti. Po ashtu, ai u shpreh se nga Kosova drejt Tiranës do të nisen 60 autobusë. Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, ka njoftuar sot se Rruga e Kombit do të jetë pa pagesë për 24 orë.
Gjithashtu Kreu i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla ka deklaruar se deputetët e mazhorancës do ta mbështesin këtë protestë dhe pritet të jenë pjesë e saj.
Ndërkohë PD ka deklaruar se nuk do të marrë pjesë në protestë, me përjashtim të Fatmir Mediut, që në seancë e djeshme plenare tha se do të jetë i pranishëm.
Përparim Rama, kryetari i Bashkisë së Prishtinës, dhe Lutfi Haziri, një nga drejtuesit kryesorë të LDK-së, do t’i bashkohen tubimit në mbrojtje të ish krerëve të UÇK-së. Edhe Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka dalë në mbështetje të protestës. Në një konferencë për media, Osmani theksoi se lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka qenë e drejtë. Kryeministri Albin Kurti përdori faqen zyrtare të partisë së tij, Lëvizja Vetëvendosje, për të dhënë një qëndrim për protestën, ku edhe “sulmoi” kryeministrin Edi Rama. Ky i fundit ka deklaruar ditën e djeshme që nuk do të jetë pjesë e tubimit.












