Ndërkombëtarët po mbikëqyrin çdo sekondë procesin për zgjedhjen e kreut të ri të SPAK-ut.
Burimet e “TCH” treguan se përfaqësues të delegacionit të Bashkimit Europian në Tiranë kryen takime informale me secilin nga konkurrentët.
Bisedat janë zhvilluar në zyrat e prokurorëve të posaçëm që kanë dorëzuar platformat dhe siç mësohet ata janë pyetur për vizionin që kanë si liderë në hetimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit. Burimet treguan se takimet e mbajtura veçmas me prokurorin Klodian Braho, Adnand Xholi, Doloreza Musabelliu dhe Elvin Gokaj janë mbajtur gjatë javës së kaluar, mbasi secili prej tyre është kontaktuar dhe ju është kërkuar kohë nga axhenda.
Sakaq nuk mbeten pas as amerikanët që prej shtatorit kur u hap gara kanë kryer vizita pranë Këshillit të Lartë të Prokurorisë dhe pranë SPAK, që megjithëse në formën e kortezisë përtej shtrëngimit të duarve kanë mesazhin për transparencë dhe distancim nga influencat.
Natyrisht që ky proces që finalizohet me votimin do të ndodhë nën vështrimin e ndërkombëtarëve, për të cilën SPAK do të vijojë të jetë prioritet edhe mbas përfundimit të mandatit në 18 dhjetor të kryeprokurorit Altin Dumani që mbas kësaj dite do të vijojë të mbajë stafetën e prokurorit të posaçëm.












