Drejtori i Përgjithshëm i Shërbimit të Transportit Rrugor, Blend Gonxhja foli në lidhje me ndryshimet e pritshme dhe risitë që pritet të ndodhin së shpejti sa i përket “Kodit Rrugor”.
Sa i përket targave të privilegjuara, Gonxhja tha se që nga momenti i aplikimit janë marrë 7 milion euro nga shitja e tyre, ndërsa bëri me dije se në shkurt priten të hynë në fuqi targat e personalizuara, për të cilat kreu i DPSHTRR paralajmëroi se do të jenë shumë të shtrenjta.
“Që nga momenti i aplikimit, që mos shiteshin më targat nëpër tavolinë, kemi bërë 7 milion euro nga shitja e këtyre targave të privilegjuara. Shpresojmë në shkurt të vijmë me targat e personalizuara, sepse këtu do të ketë një komitet censure. Do ketë fjalë që nuk lejohen. Do të jetë shumë e shtrenjtë, po i paralajmëroj qytetarët. Do jetë një kombinim mes germave dhe numrave, por do të jetë edhe mundësia që drejtuesi ta zgjedhë vetë se si do ta personalizojë targën e tij nga fillimi në fund”, tha Blendi Gonxhe.












