Ish-ministrja Elisa Spiropali ka bërë një reagim të gjatë për protestat e ditëve të fundit që kanë nisur në Zvërnec dhe prej një javë mbushin bulevardin qendror të Tiranës.
Ajo thekson se tashmë është koha për “një marrëveshje të re për Shqipërinë”, duke ju referuar vënies së shtetit në shërbim të qytetarëve, jo të pushtetit.
“Ç’u bë, nuk mund të ç’bëhet, thotë Lady Makbeth në skenën somnambul tek ecën në gjumë me qiri në dorë. Është kollaj protestave të sotme t’u sillesh rrotull me llafe boshe, me konspiracione dhe hamëndje shterpe: Cilin krim kreu Lady Makbethi, pse i iku gjumi, pse ngrihej natën somnambul, pse mbante qiri në dorë? Tani që të gjithë Makbethat vrasës dhe Hamletat dyshues kanë dalë sheshit dhe kanë hyrë në lojë, tani që vrasja është bërë, gjaku është derdhur, ndërgjegjet janë tronditur, gjumi është prishur, çfarë duhet bërë diçka tjetër? Jo diçka dosido. Diçka shekspiriane. Diçka e qëndrueshme. Diçka që po u bë, nuk zhbëhet. Për fat, kjo pyetje ka përgjigje. Çka duhet bërë sot është një marrëveshje e re për Shqipërinë”, shkruan Elisa Spiropali.
Politikania e lartë socialiste që sot është shndërruar në kritike të qeverisë së drejtuar nga Edi Rama, thotë se çdo epokë ka pyetjen e vet themelore dhe për shumë vite pyetja e Shqipërisë ishte si të ndërtonte shtetin.
Ndërsa sot, thotë ajo, pyetja është tjetër; si ta bëjë shtetin më të madh se pushteti dhe Institucionin më të fortë se ai që e ushtron pushtetin. “Pikërisht këtu fillon nevoja për një marrëveshje të re për Shqipërinë”, shkruan Elisa Spiropali.
Ajo thekson se Shqipëria ka hyrë tashmë në një fazë të historisë së saj ku sfida më e madhe nuk është më ndërtimi i pushtetit, sepse ai është ndërtuar, institucionet ekzistojnë, administrata ekziston, edhe ligjet po ashtu.
“Shqipëria e ka rritur reputacionin e saj në botë dhe duhet ta mbrojë me çdo kusht emrin e saj. Sfida e kohës sonë është diçka tjetër. Është aftësia e pushetit për të vendosur kufij brenda vetvetes”, vijon Elisa Spiropali, duke u shfaqur sërish përballë Edi Ramës.












