Kryeministri Edi Rama që në mëngjes e ka nisur ndryshe ditën duke bërë një reagim të dhimbshëm për realitetin e protestes se Zvernecit.
Rama i drejtohet një protestuesi të ulur në shkallët e kryeministrisë, i cili është lënë vetëm pasi është përdorur nga të tjerët për të krijuar një iluzion revolucioni.
Sipas Ramës, protestuesit janë shndërruar në “proletariatin e algoritmit”, ndërsa algoritmet e rrjeteve sociale prodhojnë zemërim, përçarje dhe varësi për përfitime të të tjerëve.
“MIRËMËNGJES I DASHUR PROTESTUES!
Nuk të shoh si humbësin e një proteste, po si njeriun e mbetur vetëm me bindjet e tij. Ti i je bashkuar vorbullës thithëse të turmës, sepse beson sinqerisht se po mbron diçka të çmuar. Ndoshta ti ke frikë se vendi po shkon drejt humnerës. Kapitalistët e huaj do të gllabërojnë natyrën. Zogjtë e rrallë të Shqipërisë do të vdesin. Atdheu yt ka dalë në shitje.
Nuk e di çfarë halli ke tamam. Po di që ke një hall që jo vetëm nuk ta zgjidh askush, po as nuk ta qan kush. Besoje ose jo, po unë e ndjej brengën tënde. Sepse jo vetëm të kuptoj, po edhe të mirëkuptoj, ngaqë jam po aq i zemëruar sa ti me pronarin e pasur që kujton se pasuria i jep të drejtë të sillet si zot i fatit tënd. Me nëpunësin a me drejtorin që atij i shërben pa kushte, ndërsa ty as nuk të hedh sytë. Jam i zemëruar me arrogancën e kujtdo që detyrën ndaj teje e ushtron si pushtet mbi ty.
Por pikërisht sepse brenga jote më dhemb dhe arsyet e tua më gjejnë të bindur për legjitimitetin e tyre, unë nuk të shoh dot ashtu. Vetëm. Si një peshk jashtë ujit, pasi dallga e madhe që e nxorri në breg është tërhequr e tëra. Dhe ata që të thirrën për t’u bërë “deti i Shqipërisë së re”, pa pronarë arrogantë, pa nëpunës që i përulen lekut dhe përbuzin njeriun, pa halle shëndeti e pronash, pa të huaj që investojnë në tokat tona e pa investime private në brigjet tona, pa hiçasgjë që e cënon harmoninë e një vëllazërie të lumtur, sot nuk janë askund.
Ata që në studiot televizive të komentuan mbrëmë me entuziazëm si njeriu i popullit, që më në fund po lan hesapet me qeverinë dhe kryeministrin e korruptuar, ndërkohë që për vete, prej vitesh të gjata paguhen më shumë nën dorë se sa mbi dorë për të shpifur tërë të zezat dhe sharë mua me libër shtëpie, tani po flenë në shtëpitë e bollshme të blera me ulje të forta nga “oligarkët”. Mbi dyshekë të butë të blerë me “lëmoshat” e zeza mijëraeuroshe të këtyre të fundit.
Influencerat, blogerat e kullerat që të bënë të ndjehesh heroi i tyre, duke të dhënë për herë të parë në jetë ndjesinë dehëse të pushtetit që ka shpirti i luftëtarit të dalë nga radhët e popullit mbi të kamurit, të famshmit, të njohurit dhe pse jo, troç, edhe ndjesinë e fortë të mashkullit që si në një përrallë, u bë idhulli i femrave të paarritshme të botës së luksit, kanë fluturuar edhe ata larg, me krahët e orgazmës për vrullin e mbrëmshëm të lajkeve e të follouersave, të cilët hynë në gjinjtë e në shalët e tyre si protestues, por tanimë do të mbeten në listën e tyre si klientë të reklamave për vilat, hotelet, kremrat, parfumet dhe brekët joshëse për skllevërit e algoritmit.
Ti mbete vetëm, me hallin tënd dhe pa askënd që ta qan, shembëlltyrë njerëzore e proletariatit të algoritmit, sepse algoritmi nuk ka ndjenja, nuk njeh njerëz, nuk do ideale, nuk pyet kush ka të drejtë. Ai interesohet vetëm për çfarë prodhon më shumë kuriozitet, eksitim, zemërim dhe varësi prej tij.
Ti në fakt mbete siç ishe. Ai që ishe kur u nise drejt bulevardit për të ndryshuar botën. I vetëm përballë ditës së gjatë. Me sytë e hapur në boshin që të rrethon, pas kthimit në tokë nga nata në qiellin e iluzioneve revolucionare. Ndërsa ata që u ngjitën lart në vëmendjen e dynjasë falë teje, duke të mbushur mendjen se befas u bëre ai që nuk je, forca e një revolucioni që nuk është, për përmbysjen e realitetit dhe zëvendësimin e tij me një realitet të krijuar vetëm për të të joshur ty, gatuan pa mëshirë në tiganin e pakufishëm të algoritmit, ushqimin e tyre me mishin e me shpirtin tënd.
Dhe u zhdukën.
Ti mbete aty.
Në këtë fotografi të trishtë unë nuk shoh assesi dështimin tënd. Shoh veten time dhe vështirësitë e hallet e tua. Po, sepse luftoj përditë e zemërohem jo pak, me ata që nuk ua ndjen për ato vështirësi dhe jo nuk dinë as të t’i qajnë hallet, po më keq akoma, t’i përçmojnë si ti të ishe një koment anonim në fejsbukun e tyre, jo një rob Zoti me barrën e problemeve të tua në pragun e derës së shtetit tënd”, shkruan Rama teksa publikon fotografine e trishte nga protesta.













