Prej ditësh në rrjetet sociale qarkullojnë thirrje për të sulmuar artistë dhe këngëtarë, të cilët sipas nismëtarëve të këtyre thirrjeve nuk janë bërë pjesë e protestave që prej 40 ditësh po zhvillohen në Tiranë.
Madje, situata ka shkuar deri në kërkesa për vendosjen e vlerësimeve negative online ndaj bizneseve të emrave të njohur, me qëllim dëmtimin e reputacionit të tyre në platformat digjitale.
Lidhur me këtë situatë ka reaguar edhe vetë Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skëndër Hita, i cili në një konferencë për mediat ka bërë me dije se autoritetet kanë nisur verifikimet dhe hetimet për të zbardhur nëse pas këtyre veprimeve qëndrojnë grupe personash të cilët e kanë “ideuar” në kokën e tyre këtë nismë për të dëmtuar bizneset.
Nga të dhënat paraprake të administruara nga strukturat e specializuara, sipas Hitës rezulton se janë identifikuar mijëra llogari që po analizohen për të përcaktuar nëse kanë vepruar në mënyrë të organizuar dhe me një qëllim të caktuar.
“Janë evidentuar raste ku e njëjta llogari ka publikuar, brenda një kohe shumë të shkurtër, vlerësime negative për biznese në qytete të ndryshme, përfshirë Tiranën, Durrësin, Vlorën, Sarandën, Elbasanin, Shkodrën dhe Korçën. Sinkronizimi kohor, ngjashmëria e përmbajtjes dhe mënyra e shpërndarjes së aktivitetit përbëjnë tregues kyç që po analizohen nga grupi hetimor për të përcaktuar nëse kemi të bëjmë me një veprimtari të organizuar. Një aktivitet i tillë, nëse provohet se është i qëllimshëm, nuk cenon vetëm interesat e bizneseve të prekura, por prek dhe konkurrencën e ndershme, besimin e konsumatorëve dhe perceptimin e Shqipërisë si destinacion turistik”, ka bërë me dije kryepolici, duke paralajmëruar ndëshkim maksimal para ligjit për të gjithë personat që qëndrojnë pas kësaj.
Sipas tij rezultojnë mbi 10 000 llogari në rrjetet sociale me modele aktiviteti të dyshimtë, të cilat janë aktualisht objekt verifikimi nga strukturat e specializuara të Policisë së Shtetit.












