Ditën flisnin me deklarata kundër qeverisë, por pasditet e orës 17.00 i gjenin me “Praninë besnike” në krah të strukturave. Kështu ndodhte me dy të zgjedhur të Asamblesë për praninë besnike, deputeten Elisa Spiropali dhe anëtarin e Asamblesë Plarent Ndreca.
Spiropali, doli me një dokument zyrtar për një “Shqipëri të re” ndërkohë që më herët ishte paralajmëruar nga Edi Rama për largim nga PS. “Më përjashto!” e sfidoi Spiropali por ngjarja duket se u la në heshtje.
E mandej vazhdonin edhe takimet në bazë për praninë besnike. Ndërsa Ndreca, në pozicionin e avokatit të Veliajt, fliste për terror shtetëror ndaj klientit të tij, për rrëmbim, me akuza për qeverinë, e në darkë sërish kthehej te “Prania Besnike” e shpallur nga Edi Rama.
Në asamblenë e ditës së djeshme, të dy funksionarët u përjashtuan nga funksionet e tyre në Parti, rrjedhimisht, për Spiropalin do të kërkohet largimi nga grupi parlamentar dhe qënia si deputete e pavarur, ndërsa Ndreca, humb pozicionet në strukturat drejtuese partiake. Por këto nuk janë përjashtimet e para në PS. Vendime të tilla janë marrë që më herët. Në 2007, 6 deputetë socialistë u përjashtuan nga grupi se votuan për emrin e Bamir Topit si President, raporton newsbomb.al.
Paulin Sterkaj, Durim Lamaj, Durim Hushi, Bukurosh Stafa, Taulant Dedja dhe Hamit Kosta përjashtohen nga Grupi Parlamentar pas votës për Bamir Topin President. Një tjetër vendim është ai i 2011 ku Kastriot Islami u përjashtua nga Grupi Parlamentar dhe më pas u atashua te PD duke u zgjedhur deputet i Berishës. Vendimi u mor për mosrespektim të qëndrimit politik të PS në kohën e përplasjeve me Lëvizjen për Mendim Ndryshe, ku bënin pjesë Blushi, Malaj, Harasani e Marko Bello, dy prej të cilëve, janë ndarë nga jeta pak vite më parë.
Edhe në vitin 2015 Tom Doshi u përjashtua nga grupi parlamentar I PS. Në 2016, radha I takon Ben Blushit për tu larguar nga PS por jo me përjashtim, dhe më vonë, vetë Blushi krijoi partinë “Libra”. Në të njëjtin vit, 2016, edhe Koco Kokëdhima shkarkohet nga gjithë funksionet drejtuese në PS, pas përplasjeve dhe kundërshtimeve edhe me kreun e kësaj partie.
Dorëheqja dhe më pas arrestimi i Tahirit coi në përjashtimin e tij nga grupi dhe forumet socialiste. Është Akoma e freskët dhe ngjarja me ish-kryetarin e bashkisë së Vlorës Dritan Leli, që u përjashtua nga partia në vitin 2021. Të fundit përjashtime janë Elisa Spiropali dhe Plarent Ndreca. Sipas Klosit, ata nuk humbin anëtarësinë, por vetëm pozicionet dhe funksionet drejtuese në parti.












