Një aksident i rëndë është shënuar në vendin e quajtur “Pushimi i Shoferit”, në autostradën Lushnje-Fier, ku një automjet tip “Volkswagen” është përplasur me një furgon që transportonte udhëtarë në drejtim të jugut.
Sipas informacioneve paraprake, për të shmangur përplasjen me automjetin, furgoni ka devijuar nga rruga dhe është përplasur me barrierat metalike të autostradës.
Përplasja ka shkaktuar lëndimin e disa udhëtarëve që ndodheshin në furgon. Dy prej tyre janë transportuar me ambulancë në spital, ku po marrin ndihmën mjekësore. Në vendngjarje kanë shkuar shërbimet e Policisë, të cilat po punojnë për zbardhjen e plotë të aksidentit.
Kryqëzimi te “Pushimi i Shoferit” është një prej pikave problematike të qarkullimit në këtë aks, ku janë shënuar edhe më herët aksidente.












