Asambleja Kombëtare e Partisë Socialiste solli disa ndryshime në drejtimin e Tiranës. Kryeministri Edi Rama njoftoi emërimin e Ervin Demos dhe Albana Koçiut si bashkëdrejtues të socialistëve në kryeqytet, duke zyrtarizuar shkarkimin e kryebashkiakut të Tiranës Erion Veliaj nga drejtimi i partisë në Tiranë.
Gjatë fjalës të mbledhjes me dyer të mbyllura, mësohet se Rama akuzoi Ndrecën dhe Veliajn se po gënjenin lidhur me akuzat që kanë hedhur në publik se kryebashkiaku është kërcënuar me rëndim të pozitës penale dhe se i është kërkuar dorëheqja nga drejtimi Bashkisë së Tiranës.
“Gënjejnë që të dy. E kanë për nevojat e tyre apo jo, kjo është historia e tyre”, mësohet të ketë thënë Rama.
“Gënjen për takimin me mikun e bashkëpunëtorin më të ngushtë. Nuk janë të vërteta, janë të sajuara”, tha ai lidhur me pretendimet e Veliajt për bisedat me ministrin e Drejtësisë, Toni Gogu.
Rama mësohet të jetë shprehur më tej se “Plarent Ndreca, anëtar i kësaj partie që po i bëka persekutim. Atëherë të ikë nga kjo parti e të bëjë avokatin. Nuk ka më lidhje me këtë parti, do të jetë jashtë kësaj partie.”
Po ashtu, në Asamble u mor vendimi që Elisa Spiropali dhe Plarent Ndreca të largohen nga të gjitha forumet drejtuese të PS-së, por mbeten anëtarë të thjeshtë të partisë.












