Prej më shumë se dy orësh, në rezidencën qeveritare në Pogradec është duke u mbajtur mbledhja e thirrur nga kryeministri Edi Rama me 12 drejtuesit politikë të qarqeve të Partisë Socialiste, si dhe kryetarët e komisioneve parlamentare.
Takimi nisi pasi drejtuesit politikë mbërritën njëri pas tjetrit në rezidencën qeveritare. I pari që mbërriti ishte drejtuesi politik i Qarkut të Shkodrës, ministri Enea Karakaçi, ndërsa rreth orës 11:20 mbërriti edhe kryeministri Edi Rama.
Sipas burimeve për mediat, në pjesën e parë të takimit Rama ka mbajtur një fjalim rreth një orë, duke vendosur në qendër të diskutimeve organizimin e strukturave të Partisë Socialiste, funksionimin e pushtetit vendor dhe përgatitjet për zgjedhjet e ardhshme lokale.
Burimet bëjnë me dije se një pjesë e rëndësishme e fjalimit ka qenë e përqendruar te dy dokumentet e PS-së, “BESA” dhe “Prania e BESËS”. Rama ka kërkuar që këto dokumente të lexohen me rigorozitet dhe të mos mbeten vetëm në nivelin e deputetëve apo drejtuesve politikë, por të shpërndahen edhe te kryetarët e bashkive dhe drejtuesit e degëve të Partisë Socialiste.
Në fokus ka qenë edhe mënyra se si këto dokumente do të përkthehen në objektiva konkrete të strukturave socialiste, veçanërisht në funksion të zgjedhjeve lokale të vitit 2027. Sipas burimeve, Rama u ka vendosur ultimatum drejtuesve politikë që të zbarkojnë në terren dhe të takohen çdo ditë me qytetarët.
Një tjetër çështje e diskutuar ka qenë procesi i riorganizimit të bashkive. Drafti që parashikon shkrirjen e 15 bashkive ka shkaktuar debate dhe kundërshtime në disa zona, ndërsa Rama u ka kërkuar llogari drejtuesve politikë për mënyrën se si është menaxhuar kjo situatë.
Sipas burimeve, kryeministri ka kërkuar prej tyre që të ishin në “frontin e luftës” për të shpjeguar te qytetarët arsyet e reformës, duke argumentuar se bashkitë e riorganizuara synojnë të ofrojnë më shumë shërbime dhe një administrim më të shpejtë e efikas. Rama është ndalur edhe te reagimet dhe revolta që ka pasur ndaj kësaj nisme, duke kërkuar që drejtuesit politikë të marrin përgjegjësi për mënyrën se si e kanë përballuar situatën në terren.












