Kryeministri Edi Rama ka zbardhur diskutimet e zhvilluara gjatë takimit të sotëm me drejtuesit politikë të qarqeve, mbledhje që u mbajt në Pogradec dhe zgjati 7 orë.
Në fokus të diskutimeve, sipas kryeministrit, ka qenë dokumenti “Besa” që ai bëri publik në një kohë kur qytetarët janë ngritur kundër tij në protesta, dhe mënyrën e re të komunikimit të qeverisë me ta.
Kryeministri Rama thotë se diskutuan për atë që e quan “Pasqyrë Albania”, ku qytetari, sipas tij, do të jetë i pranishëm në të gjitha institucionet dhe ku çdo hall i tyre do të jetë si një “pako postale”.
“Nga Pogradeci, kur dielli po perëndon mbi liqen, aty ku Lasgushi gjente frymëzimet e veta magjepsëse dhe aty ku ne u përpoqëm të mbledhim së bashku reflektimet e një periudhe pushimesh aktive, të lidhur me sezonin e ri politik, kemi diskutuar për “Besën”, kemi diskutuar për praninë besnike; kemi diskutuar për ekosistemin e ri të komunikimit të qeverisë, jo në kuptimin thjesht të komunikimit publik, por të komunikimit me qytetarin; kemi diskutuar edhe për pasqyrën unike, “Pasqyrë Albania”, ku qytetarët do të kenë të pranishme të gjitha institucionet dhe ku ambicia është që, më herët se vonë, të arrijmë pikën që çdo kërkesë, çdo shqetësim, çdo hall i qytetarit drejtuar institucioneve të jetë si një pako postale, statusi i së cilës ndiqet në kohë reale nga dërguesi dhe, nga ana tjetër, shteti, qeveria, institucionet ndjekin përgjegjësitë dhe çdo shkelje afati shihet me lupë.”, tha Rama.












