Dëshira e shqiptarëve për t’u anëtarësuar në BE është e madhe, por procesi i plotësimit dhe vlerësimit të detyrave po ecën me ritme jo të shpejta.
Edhe pse gatishmëria ishte që brenda vitit të mbylleshin disa kapituj, me presidencën irlandeze, sipas burimeve të “A2 CNN” brenda mazhorancës qeverisëse, pritet që në dhjetor kapaku t’i vihet vetëm kapitullit 31.
Nëse merret drita jeshile, përmbyllet edhe grupkapitulli i 6, që ka të bëjë me politikën e jashtme të Shqipërisë. Për këtë pjesë, nga Brukseli është pranuar që në krye të herës se Tirana zyrtare nuk ka asnjë problem me këtë sektor.
Ndërsa me “trenin irlandez” rruga drejt Brukselit nuk kishte ritëm, Shqipëria po shpreson që në Presidencën Lituaneze, në 6-mujorin e parë të 2027, të paktën të mbyllë dy kapituj në shkurt. Të njëjtat burime thane se për kapitullin 19 “Politikat Sociale dhe Punësimi”, si dhe 32 “Kontrolli Financiar”, të mbahet konferenca ndërqeveritare në muajin e dytë të 2027.
Shqipëria mbylli në korrik të këtij viti 3 kapituj nga 33 në total. Pavarësisht kësaj ecurie, kryenegociatorja shqiptare është e sigurt se në 2028 nis shkrimi i Traktatit të Anëtarësimit, vit në të cilin Italia merr presidencën e Unionit.
Përpos tryezave ndërqeveritare dhe plotësimit të kushteve nga ana e Shqipërisë, qeveria po shpreson që edhe modeli i ri i zgjerimit i KE-së ta përshpejtojë integrimin, deri tek bërja kurban e vetos apo komisionerit.












